Reporterja Jonida Qirko bën me dije për edicionin e lajmeve në MCV se dy vatra të reja zjarri janë riaktivizuar në Delvinë. Gazetarja raporton se në fshatrat Kalas dhe Vanë janë mobilizuar vet banorët për shuarjen e flakëve. Deri më tani dëmet kanë qenë të konsiderueshme, ku janë djegur qindra mijëra hektarë.
“Rreth orës 5:00 të mëngjesit pati një farë qetësimi të flakëve, por janë rindezur për shkak të erës së fortë, duke bërë që të shfaqen dy vatra të reja zjarri, dhe duke u djegur një godinë e pabanuar. Është dashur vet ndërhyrja e banorëve të zonës për mos përhapjen e flakëve në shtëpitë e banueshme. S’ka pasur ndërhyrje të zjarrfikësve sepse s’kanë mbërritur ende në këtë fshat. Zjarri mbetet aktivë edhe në disa zona të tjera, po përparon drejt fshatit Vanë. Edhe aty ka qenë mobilizimi i banorëve që po ruajnë kullotat, për mos u përpirë nga flakët. Terreni është i thyer dhe ka pasur probleme me ndërhyrjen. Ditën e sotme s’ka pasur ndërhyrje nga ajri. Ka qenë banorët e fshatit Vanë dhe Kalas që janë ngritur si fshat për të ndaluar përhapjen e flakëve. U është bërë një dëm i konsiderueshëm, bëhet fjalë për qindra mijëra hektarë”.



