Policia e Durrësit ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të lënë në fuqi nga Apeli, për konfiskimin e pasurive në përdorim të shtetasit L. K.
Bëhet me dije se është sekuestruar një truall me sipërfaqe 1050 m², së bashku me një objekt banimi njëkatësh, oborr dhe pishinë.
Nga hetimet rezulton se këto pasuri janë përfituar nga veprimtaria kriminale e dy djemve të L. K., të cilët janë të dyshuar për disa vepra të rënda penale.
Ata janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017 për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”. Gjithashtu, ndaj tyre rëndojnë edhe dyshime për veprat “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.



