
Situata e tensionuar ditën e djeshme, pas arrestimit të Marko Gjuriç në veri të Kosovës, ka detyruar shefen për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që të udhëtojë pasditen e të martës në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një deklaratë për mediat, Mogherini ka biseduar në mënyrë të hapur, miqësore dhe për zhvillimet e fundit dhe të ardhmen e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
"Shpreh keqardhje për ngjarjet e djeshme në Kosovë. Çfarë ndodhi dje nuk duhet të ndodhë prapë. Bashkimi Evropian pret qetësi, urtësi, përmbajte dhe udhëheqje të duhur", i ka thënë Mogherini, raporton B92.
Në deklaratë thuhet se "presidenti dhe përfaqësuesja e lartë ranë dakortë për të kërkuar rrugë të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhur në rrugë paqësore çështjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë pajtuar se është në interesin kombëtar dhe shtetëror të Serbisë që të ruhet qëndrueshmëria, paqja dhe përparimi në rrugën evropiane".
Vizita pason ngjarjet e një dite më parë në veriun e Kosovës ku policia arrestoi zyrtarin serb Marko Gjuriç, për shkak të hyrjes së paligjshme në Kosovë.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të "dëshmojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe pjekuri" dhe të ruajnë dialogun.



