Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo e konsideroi fitoren e Macron-it si president, si votimin e alternativës më të mirë të mundshme në Francë. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Milo tha se e sheh të vështirë që Macron të krijojë shumicën në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Ai shtoi se presidentit francez i duhet një koalicion me të majtën ekstreme, por do të jetë e vështirë të gjejnë një formulë të përbashkët.
U votua alternativa më e mirë e mundshme në Francë. Le Pen bëri një progres në raport me zgjedhjet e 2017-ës, sepse korrigjoi mjaft nga tezat programore. Nuk dolën në plan të parë tezat e racizimit anti-europianizmit. Beteja u përqendrua në problematiken sociale. Problematika sociale në Francë mbetet. Sot që pati protesta të ashpra dhe me viktima, dëshmon që problematika sociale ka qenë në qendër të zgjedhjeve franceze. Le Pen ndonëse përmirësoi imazhin e saj, përsëri ajo mbeti, nuk e kaloi provimin presidencial, sepse ende francezët mendojnë se ajo përfaqëson rrezik për të ardhmen franceze, për Evropën. Votuan një njeri që e dinë që është europianist, pavarësisht nga dështimet e tij. Ishte alternativa më e mirë në kushtet aktuale të Francës. Zgjedhjet e qershorit do jenë shumë të rëndësishme. E shoh shumë të vështirë që Macron të krijojë shumicën vet. Zgjedhjet parlamentare janë tregues i forcës së partisë së Macron në elektorat. Macron-i mund të ketë 28 për qind të elektoratit, sepse ato të tjerat ishin votat e partive të tjera. E shoh të vështirë që të fitojë shumicën në qershor. Do jetë e vështirë një qeveri koalicioni. Sepse duhet të arrihet një mesatare programi me të majtën. Diferencat mes tyre janë të madhe. Nuk e di ç’formulë e magjishme do gjendet për kompromis”.



