
Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina. Vendimi është konfirmuar nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Me anë të një statusi në Tuiter, Cakaj shprehet se shkak për vendimin është bërë trajtimi nga organizatorët e këtij samiti ndaj Kosovës është i papranueshëm. Ai thekson se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.
“Mënyra si është trajtuar Kosova nga organizatorët është e papranueshme dhe shkon përkundër qëllimit të krijimit të një atmosphere besimi, të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa trajtim të barabartë”, shkruan Cakaj në Tuiter.
Një ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se nuk do të merrte pjesë në samitin e Sarajevës, me argumentin se shteti i tij nuk është trajtuar si i barabartë me pjesëmarrësit e tjerë. Organizatorët nuk e kanë ftuar Thaçin në cilësinë e presidentit, por thjesht si një përfaqësues, ndryshe nga drejtuesit e vendeve të tjera.
Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë doganore 100 për qind ndaj produkteve të Bosnjës dhe Serbisë.



