
Ka përfunduar seanca e parë formale e legjislaturës së X, për t’ia lënë rradhën seancës së orës 17, për vazhdimin e seancës së dytë parlamentare, seancë ku do të bëhet dhe betimi i qeverisë së re, “Rama 3”.
Pas fjalimit dhe prezantimit të 140 deputetëve që përbëjnë Kuvendin e Shqipërisë u ngrit edhe komisioni i verifikimit të mandateve të deputetëve, i përbërë nga pesë përfaqësues të maxhorancës dhe katër të opozitës.
Kështu, nga mazhoranca u propozuan: Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Aurora Mara, Nasip Naço dhe Toni Gogu.
Nga opozita u propozuan deputetët: Saimir Koreshi, Dhurata Çupi, Greta Bardeli, Belind Këlliçi. Anëtarët e Komisionit u miratuan në mënyrë unanime me votë të hapur.
Pas krijimit të sekretariatit të përkohshëm me tre deputetët më të rinj, Andia Ulliri (PD), Edona Bilali (PS), dhe Besian Ajazi (PS), kryesuesja e Kuvendit, Luljeta Bozo i njoftoi Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkoi verifikimin e mandateve të tyre.
Tashmë, ky komision do të caktojë kryetarin dhe më pas do të paraqesë raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.
Seanca e parë plenare vijon pasdite pas verifikimit të mandateve, me betimin e deputetëve të rinj.



