
Prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, në një lidhje telefonike për MCN LiVE duke folur për situatën atje pas përmbytjeve theksoi se sot ajo paraqitet më e qetë dhe se ka një tërheqje të nivelit të ujit.
Ajo tha se prurjet nga lumenjtë kanë qenë të larta, por të gjitha mjetet e ushtrisë, emergjencat civile janë në gatishmëri dhe se familjet në nevojë janë duke u ndihmuar dhe baza ushqimore. Sipas saj, situata është menaxhuar më së miri nga bashkia.
Situata është më e qetë reshjet bien por jo me intensitetet dhe kjo është në favor të menaxhimit të situatës në terren. Kemi një situatë më të përmirësuar, rruga është e hapur kemi tërheqje të ujit nga sipërfaqet dhe oborret e shtëpive, pritjet në kaskadën e Drinit janë më të pakta dhe Kiri e ka ulur nivelin e ujit sepse një veçanti në këtë situatë i mëshohet shumë hapjes së portave të hidrocentraleve. Ne kemi prurjen e lumit Kir dhe përrenjve, ku ka pasur sasi me volum të madh uji duke shkaktuar dhe përmbytje në Kuç. Në këtë momente që flasim situata është më e qetë dhe jemi në terren për ti ardhur në ndihmë banorëve.
Më tej ajo shtoi se ushtria, makinat, varkat janë në gatishmëri për çdo nevojë dhe kërkesë që kanë banorët.
Po lidhemi me bashkinë Shkodër për të bërë të mundur ndihmën me pako ushqimore. Është bërë dhe shpërngulja e disa bagëtive nga Bërdica, janë të gjitha kapacitet e vëna në dispozicion, aktualisht kemi vetëm pak familje në një konvikt të strehuara, vetëm 19 familje. Situata është më e qetë dhe dua të theksoj se jo vetëm në bashkinë Shkodër problematikat kanë qenë në Malësinë e Madhe, Pukë të cilat po menaxhohen dhe të gjitha drejtoritë janë në dispozicion. Kemi mbledhje të shtabit të emergjencave, qendrat shëndetësore, infermierët të cilët duhet të dalin në terren për të ndjekur situatën.
E pyetur nëse kanë qenë të njoftuar si institucion për reshjet dhe nëse kemi një përkeqësim të motit çfarë masash janë marrë, Angoni theksoi se janë të përgatitur për çdo situatë emergjente dhe nuk dëshiron që e gjithë kjo të kthehet në politike.
Banesat e izoluara nga uji s’mund të themi më sepse kemi tërheqje të ujit dhe të gjitha shtëpitë janë të komunikueshme dhe rrugët janë të kalueshme. Rruga e Bërdicës, është e hapur, nga dje ora 2 e drekës kemi pasur lëvizje normale dhe asnjë devijim. Gjithçka i është kthyer normalitete përveç familjeve të cilave u ka hyrë uji brenda në banesë. Jemi informuar se mund të kemi përkeqësim të reshjeve dhe mund të jetë e nevojshme hapja e portave. Por nuk dua që kjo situatë të kthehet në politike dhe nuk dua të trajtohet politikisht vetëm me ardhjen e Berishës në Shkodër sepse ne kemi pasur kontakte të vazhdueshme me banorët me prioritet jetën e tyre. Rritja e nivelit të Kirit ka bërë të mundur që Ajaza, Kuçi të përmbyten. Ne si institucione jemi në terren në çdo njësi dhe përveç fondit të emergjencave civile është dhe shtesë nga ministria e mbrojtjes për të përballuar situata të tilla, pra janë të gjitha mjetet financiare për t’ju ndodhur këtyre banorëve në këto ditë të vështira. Ne kemi hartuar një plan emergjencash paraprakisht dhe kështu i kemi paraprirë me kohë situatave të tilla dhe çdo bashki ka bazat dhe kapacitetet për masat e mundshme dhe nga ministria janë dërguar kapacitete ndihmëse për ti ardhur në ndihmë çdo banori që ka nevojë.



