Kryetari i PR Fatmir Mediu tregoi në edicionin e lajmeve në MCN TV takimin e parë dhe të fundit me ish-Sekretaren amerikane të Shtetit Madeleine Albright, e cila u nda dje nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Takimi i fundit ndodhi në 2018-ën Uashington DC në një organizim me deputetë të Kosovës dhe ata shqiptarë. U diskutuan raportet miqësore. Interesi i Albright për Kosovën dhe shqiptarët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe miqësor. Për herë të parë e takova rastësisht kur u zgjodh Sekretare amerikane e Shtetit. U ulëm për një kafe. Ka shprehur vlerësim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Qëndrimi i saj ka qenë në interes të shqiptarëve, por duke kërkuar që është rasti që shqiptarët të tregojnë veten, për të ndërtuar shtete demokratike si në Shqipëri dhe Kosovë”.
Mediu u ndal edhe te Konferenca e Konservatorëve në Bruksel, ku ai ishte pjesëmarrës, teksa theksoi se u ngrit shqetësimi mbi penetrimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
U fol për situatën në Ballkan, për shkak të penetrimit të Kinës dhe Rusisë. Republika Srprska për daljen nga Bosnja dhe krijimin e ushtrisë ka mbështetjen e Rusisë. Ka një shqetësim të përgjithshëm ndaj kësaj situate. Është diskutuar si duhet ndaluar ekspansioni i Kinës. Probleme me teknologjitë, veçanërisht 5G-në”.
Kreu i PR-së e konsideron si vendimin e duhur aktin e dorëheqjes së Lulzim Bashës, ndërsa theksoi se PD duhet të jetë më horizontale dhe kolegjiale.
Mendoj që është veprimi i duhur. I kam sugjeruar që të merrte vendimin e duhur në kohën e duhur. Shpresoj të ketë një reflektim të thellë nga përfaqësuesit e PD. PD duhet të jetë më horizontale dhe kolegjiale në zgjedhjen e përfaqësuesve. Modeli i konservatorëve britanik mund të shërbejë jo vetëm PD-së, por gjithë opozitës”.



