Dymbëdhjetë persona janë vënë në prangat e policisë së Krujës dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Old plants”, për kultivim kanabisi në malësinë e Krujës.
Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest në burg” për 16 shtetas dhe janë vendosur 3 vendime për kontrolle banesash për 3 shtetas të tjerë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Nr. 5, dhe Njësinë e Sigurisë Publike Tiranë, në vijim të punës për goditjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të implikuar në këto veprimtari, në kuadër të procedimit penal nr.308/2022, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:
- E. A., 57 vjeç, A. A., 26 vjeç, I. V., 52 vjeç, Y. C., 48 vjeç, E. Sh., 26 vjeç, F. Z., 41 vjeç, I. D., 43 vjeç, R. D., 39 vjeç, L. A., 53 vjeç, D. K., 25 vjeç, I. H., 52 vjeç, dhe F. M., 52 vjeç, banues në Kamëz dhe Krujë.
Gjithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitet 2021 dhe 2022, kanë kultivuar bimë narkotike në fshatra të ndryshme në malësinë e Krujës.



