Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është takuar ditën e sotme me 300 të rinj dhe të reja në kuadër të “Ditës së Rinisë”.
Ky takim është zhvilluar në një prej sallave të reja të liceut Artistik, ku në fjalën e tij, Veliaj është shprehur edhe krenar për punën e bërë, duke deklaruar se ka ende shumë për të bërë për rininë.
Kryebashkiaku Veliaj, ka përfituar nga kjo mbledhje për të ironizuar takimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Ata po takohen në një qendër tregtare, tregon pak a shumë kulturën që promovojnë. Deri dje i shanin qendrat tregtare, sot janë pjesë e përkrahjes së qendrave tregtare. Ne, në fakt, takohemi në një shkollë, sepse secili prej nesh në fakt shkon aty ku e thërret puna e vet. Jam sot shumë i lumtur që në këtë sallë të rikonstruktuar të Liceut, që sigurisht do gumëzhijë vitin tjetër, ne të kemi ndërtuar një etalon që e kemi replikuar edhe te salla “Adi Hila”, edhe te një pafundësi shkollash të tjera,” u shpreh Veliaj.
Postimi i Erion Veliaj
8 DHJETOR - DITA E RINISË
Me 300 të rinj ekselentë nga salla e re e Liceut Artistik, për të kujtuar një ditë të shënuar për historinë e Tiranës dhe Shqipërisë– ditën kur studentët guxuan të kërkonin lirinë dhe me protestat e tyre rrëzuan regjimin komunist.
Sot, ashtu si edhe 30 vjet më parë, vlejnë më shumë veprat se fjalët – shumë kemi bërë dhe kemi ende shumë për të bërë për rininë.



