Gazetari Denis Dyrnjaja, krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e sheh si të pakonsultuar politikisht dhe brenda qeverisë, por se të gjithë u vunë para faktit të kryer dhe e pranuan.
Nga studio e MCN Live, ai tha se edhe pse është në autoritetin dhe vendimmarrjen e Kryeministrit që të emërojë dhe krijojë atë që mendon si administrator, ngriti pikëpyetje nëse si koncept e kuptoi grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe vetë PS, se pse u krijua kjo ministria në këtë mënyrë dhe pse buroi pikërisht tani.
Ndërsa për Blendi Gonxhen si ministër, e sheh si projeksion të Kryeministrit për ta bërë kryebashkiak të Tiranës.
Pse u shkarkua kjo ministrja? Çfarë kishte ministrja që u shkarkua ndryshe nga ministri që u ngarkua.
Prandaj po them mungon transparenca dhe brenda vetë grupit, nuk kërkohet llogari për ata që ikin.
Këta që ikën, ikën për punë të keqe, ikën se do ndryshojë strategjia apo se kanë probleme me ligjin?
Mungon çdo element i transparencës dhe vetë brenda forcës politike dhe i vetë raportit të qeverisjes me publikun, i partisë në pushtet me publikun.
Nëse do marrë një insinuatë politike, për rastin e ministrisë së re dhe Gonxhes, kam përshtypjen se më shumë se sa krijimi i një ministrie që ne na kërcet në natyralitetin e bashkëjetesës institucionale, që Financat duhet të jenë me Ekonominë, mendoj se është një mesazh politik për njerëzit brenda Partisë Socialiste.
Kam përshtypjen se Rama po përgatit një rikthim të Gonxhes në kontekstin administrativ, ndoshta po e përgatit për kryetar të ardhshëm të bashkisë së Tiranës.
Është një projeksion i imi, por mënyra si e ka vendosur në transhenë qeverisëse, kujtoj se Gonxhe nuk ka qenë një anëtar në PS.
Ka qenë student i dhjetorit, ka qenë i angazhuar në mënyrë administrative në pushtetet lokale ose jo.
Por tani duket se është i angazhuar politikisht në Partinë Socialiste dhe mendoj se do kemi surprizë për sa i përket mënyrës se si Rama do ta vendosë tani qasjen politike me ndryshimet që po ndodhin, edhe për shkak të ndikimeve që po sjell drejtësia në mazhorancë.
Kështu që Rama duhet të krijojë një projeksion me njerëzit e së ardhmes, për shkak të pikëpyetjes që kanë njerëzit e së tashmes.
Duhet të kujtojmë se zoti Veliaj ka problem me inceneratorët dhe nuk i dihet se si do të shkojë e ardhmja e tij politike, sikundër gjysma e qeverisë edhe shumë ministra janë nën hetim, apo ish-ministra janë nën hetim.
Kështu që Ramës i duhet një plan B, për njerëzit me të cilët ai mendon se duhet të shkojë në vitin 2030 siç ai thotë dhe ka projeksionin e vetë për të arritur.



