Mark Zuckerberg pritet të paraqitet si dëshmitar kryesor në një gjyq të pazakontë prej 8 miliardë dollarësh i cili fillon këtë javë, në të cilin CEO i Meta akuzohet për operimin e Facebook si një ndërmarrje të paligjshme e cila lejonte mbledhjen e të dhënave të përdoruesve pa pëlqimin e tyre.
Aksionerët e Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, paditën Zuckerberg dhe drejtues të tjerë aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë, duke thënë se shkelën vazhdimisht një marrëveshje të vitit 2012 midis Facebook dhe Komisionit Federal të Tregtisë për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve.
Çështja daton që nga viti 2018, pasi u zbulua se të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook-ut ishin aksesuar nga Cambridge Analytica, një firmë konsulence politike, aktualisht e mbyllur e cila punoi për fushatën e suksesshme të Donald Trump për president të SHBA-së në vitin 2016.
Aksionerët duan që Zuckerberg dhe të pandehurit e tjerë të rimbursojnë kompaninë për më shumë se 8 miliardë dollarë gjoba dhe kosto të tjera të paguara nga Meta pasi skandali i Cambridge Analytica doli në dritë, përfshirë një gjobë rekord prej 5 miliardë dollarësh të vendosur ndaj Facebook nga FTC në 2019 për shkelje të marrëveshjes së vitit 2012.
Të pandehurit në këtë çështje përfshijnë ish-drejtoreshën operative Sheryl Sandberg, kapitalistin sipërmarrës dhe anëtarin e bordit Marc Andreessen, si dhe ish-anëtarët e bordit Peter Thiel, Palantir Technologies, dhe Reed Hastings, bashkëthemeluesin e Netflix.



