Partia Demokratike ka hedhur akuza kundrejt qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë, ku përmes një reagimi thotë se gënjejnë me shifrat e të shtruarve në dy spitalet COVID.
Përmes një denoncimi, Bardh Spahia, shkruan se ministria nuk raporton shifra të sakta, sakaq sipas tij nuk ka ilaçe për pacientët me Covid.
“QEVERIA KA LËNË SPITALET COVID PA BARNAT SPECIFIKE!!! Dmth jo vetëm që gënjejnë paturpësisht për numrin e të shtruarve me COVID, por nuk kanë siguruar as sasinë e duhur të ilaçeve, pjesë e protokollit të trajtimit të virusit corona!
Siç duket nga denoncimi mungon një bar bazik si antiviralet! Dhe kjo mungesë kur ka 150 të shtruar! Po kur të bëhen më shumë? Pse ministria gënjeu sot kur tha se janë 124 të shtruar në 2 spitalet Covid, kur siç shihet nga denoncimi vetëm tek “Shefqet Ndroqi’ janë të paktën 150 të shtruar?
A të vjen ndopak zor Ogerta që gënjen me shifrat kur minimumi personeli e di sa persona janë të shtruar? Kaq e paaftë je për të parashikuar situatën apo po negocion tendera? -Turp”, shkruan Spahia.
Pas publikimit të mesazheve të qytetarëve nga ana e ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahia se në spitalin Covid 2 s’ka as ilace, vjen reagimi i spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Në reagim thuhet se pacientëve iu ofrohet terapi e plotë dhe se nuk mungon asnjë medikament. Po ashtu ftohen politikanët të lejojnë mjekët të bëjnë punën e tyre.
DEKLARATA E SPITALIT
Në përgjigjie të reagimit të Partisë Demokratike, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” informon qytetarët se nuk mungon asnjë medikament apo trajtim për pacientët e shtruar që përdoret në protokollet e përcaktuara të mjekimit në spitalin tonë.
Spitali Covid2 “Shefqet Ndroqi” ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u kujdesur për të gjithë pacientët, me terapitë e plota të mjekimit.
Në të njëjtën kohë ftojmë politikanët të na lejojnë të bëjmë punën tonë për t’u shërbyer pacientëve të prekur nga Covid19 ditë e natë, pa ndërprerje, me përkushtim dhe profesionalizëm.



