Reshjet e shiut do i lënë vendin atyre të dëborës. Sinoptikanët paralajmërojnë ulje të temperaturave, në të gjithë vendin.
Të dielën i gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu të shoqëruara me erëra të forta dhe shtrëngata.
Shërbimi meteorologjik ushtarak njofton se reshjet do të vijojnë deri të martën, ndërsa i gjithë vendi do të përfshihet nga reshjet intensive.
Evis Jahaj, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: “Vendi ynë ndikohet nga kalime të ftohta të frontit atmosferik, shoqërohet me masa ajrore të paqëndrueshme dhe të lagështa me origjinë jugore duke u shoqëruar me reshje shiu të vazhdueshme, me intensitet mesatar në gjithë territorin, por gjatë orëve të mesditës deri në ato të pasdites, në zonat e veriperëndimit, disa zona të qendrës dhe zonën e jugut reshjet do të jenë me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve. Më pas reshjet humbasin intensitetin dhe bëhen përsëri me intensitet mesatar në të gjithë territorin. Duke filluar nga dita e martë mbi vendin tonë do të fillojnë të mbizotërojnë masa ajrore të qëndrueshme dhe moti pritet të jetë i kthjellët deri në fundjavë, por pritet që temperaturat të pësojnë rënie të ndjeshme.”
Evis Jahaj, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak tregon se ndërpreja e reshjeve të shiut do i lërë vendin dëborës.
Nga e premtja temperaturat do të zbresin nën zero gradë, ndërsa një pjesë e mirë e vendit në lartësinë e 400 metrave mbi nivelin e detit, do të shoqërohet me reshje dëbore.
Evis Jahaj, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: “E kundërta do të vijë nga veriperëndimi me qendër të presionit të ulët, futet disi në det dhe sjell këto reshje. Masat ajrore, që kalojnë të premten do të zbresin deri në zonat kodrinore reshjet e dëborës. Do të zbresin deri në 400-500 metra. Zona e juglindjes, verilindja do të preket nga reshjet e dëborës, madje dhe Dajti, në zonën e Korçës, qytetin Kukësit, Peshkopisë, Bajram Curri, Puka, i afrohet pak Shkodrës, por Shkodrën nuk e prek. Janë rreth 14 centimetra të parashikuara”.
Dëbora pritet të zbardhë edhe malin e Dajtit, ndërsa temperaturat do të ulen ndjeshëm. Në zonat malore temperaturat do të luhaten në nivele negative, të cilat do të zbresin deri në -5 gradë celcius, ndërsa në zonat e ulëta temperaturat pritet të kenë një luhatje prej 10-14 gradë.



