
Ministra e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu këtë të shtunë ka dhënë detaje në lidhje me menaxhimin e situatës pandemike në vend.
Gjatë fjalës së saj, ajo është shprehur se gjatë situatës pandemike janë hartuar disa plane pune dhe ai tek i cili është e fokusuar tashmë qeveria është fushata e vaksinimit.
Çdo dokument që prodhohet dhe sidomos në situatë emergjencë që ne jemi prej muajsh po jetojmë është një dokument fleksibël që përshtatet në kohë me ndryshimet dhe evidencat shkencore dhe situata që krijohen në bazë të skenarëve dhe për eksperiencat që ne kemi në të ardhmen. Ky është një plan dinamik dhe i hapur për të ndryshuar dhe për tu zhvilluar në këto baza. Janë 5 dokumente të hartuar, plani i veprimit, strategjia e rihapjes që u mbyll në maj të 2020, plani për përballjen me vjeshtë-dimër 2020-2021, më pas me atë të vaksinimit dhe në planin e fundit.
Më tej Manastirliu theksoi se vaksinimi është arma e vetme që kemi në dorë për të luftuar pandeminë. Ajo ka theksuar se fushata e vaksinimit masiv do të vijojë dhe përgjatë muajit tetor, si një mundësi për të pasur sa më shumë qytetarë të mbrojtur.
Vaksinimi që është në fokus ku një prej mjekëve më në zë i CDC thotë se gjeja më e rëndësishme është që të vaksinojmë ato që nuk janë vaksinuar, të paktën ne që punojmë në sektorin e shëndetësisë e kemi të qartë se arma e vetme është vaksinimi, dhe të vaksinosh të pavaksinuarit kjo është sfida jonë. Brenda pranverës së vitit të ardhshëm ne kemi për qëllim vaksinimin e një pjese të madhe të popullsisë, për të vijuar me planin për dozën e tretë dhe më pas dhe me vaksinimin e fëmijëve. Muaji tetor do të jetë një muaj i hapur vaksinimi si shtatori dhe gushti, ne do të vijojmë që ta kemi dhe këtë muaj të hapur vaksinimi.
Duke folur për investimet e bëra në 8 vite në sistemin shëndetësor, që mundësuan përballimin e pandemisë së Covid-19, Manastirliu tha se forcimi i kapaciteteve do të vijojë me investime të tjera.
Plani ynë parashikon që të ketë rreth 1800 shtretër të dedikuar për çdo skenar për përballimin e situatës, sigurisht të ndarë sipas tre skenarëve kryesore që ne kemi. Investimet janë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga Urgjenca Kombëtare, duke përfshirë fuqizimin e flotës së autoambulancave në funksion të mbulimit akoma më të mirë të territorit por edhe të shërbimit në familje; tek ISHP me investime direkte në fuqizimin me aparatura që besoj do të rrisin në një nivel më të lartë punën e Institutit; gjithashtu për sa i përket përmirësimit të sistemit të survejancës. Dhe një ndër investimet mund të them që me të vërtetë do të luajë rol kyç për nga rëndësia që ka, është rehabilimi i plotë i spitalit infektiv, me aparatura të teknologjisë së lartë.
Objektivat e strategjisë së Planit të Përgjigjes 2021-2023 janë:
-Forcimi i survejancës epidemiologjike dhe masave të parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit në komunitet.
-Menaxhimi i rasteve me SARS-CoV-2 në nivel spitalor dhe përballja me skenarët e rinj të mundshëm.
-Organizimi i kujdesit shëndetësor, forcimi i QKUM, infrastrukturës spitalore dhe burimeve njerëzore.



