
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimin e tyre të përbashkët kanë diskutuar për formatin e qeverisë së ardhshme, respektivisht shkrirjen e disa ministrive në disa dikastere qeveritare.
Nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se të mërkurën në takimin e dytë të grupeve punuese të kësaj partie dhe LDK-së, është definuar numri i ministrive dhe zëvendësministrave për qeverisjen e ardhshme.
Merret vesh se dy partitë janë pajtuar që të kenë 12 ministri, e jo më shumë se 30 zëvendësministra në total.
“Sot jemi dakorduar për formatin e qeverisë, strukturën se si do të duket qeveria Kurti, për numrin e ministrive. Sot u definua se do të jenë vetëm 12 ministri. I kemi pasqyruar se si do të duken. S’do të ketë më shumë se 27 zëvendësministra, e jo afër 100 sa ishin. Kemi caktuar që të mos ketë më shumë se 30, por numri 27 është përmendur”, ka deklaruar Albulena Haxhiu nga VV.
Sipas saj, katër nga ministritë do të jenë “superministri” bazuar në funzionimin e tyre. Këtu përfshihen Ministria e Punëve të Jashtme, ku tash pritet të hyjë edhe ajo e Integrimeve Evropiane si dhe e Diasporës. Te ajo e Brendshme do të përfshihet ajo e Pushtetit Lokal dhe ajo e Administratës. Haxhiu ka thënë se fuzionim do të ketë edhe te Ministria për Zhvillim Ekonomik.
Me këtë rast u bë e ditur se takimet në nivel të ekipeve do të zhvillohen çdo të tretën ditë.
Rrjedhimisht grupet punuese, ai i LVV-së dhe ai i LDK-së, takimin e radhës do ta mbajnë të hënën e javës së ardhshme.



