
Muzika popullore është konsideruar gjithmonë si një ndër pasuritë më të çmuara të vendit tonë. Gjurmët e folklorit muzikor të Shqipërisë janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. dhe në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla muzikore popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. E lidhur ngushtë me identitetin tonë, muzika popullore në ditët e sotme, gjendur përballë ndikimeve muzikore nga vende të ndryshme të botës dhe përballë tregut, ngjan sikur ka humbur elementët autentikë të saj. Shumëkush mund të shtrojë me të drejtë pyetjen nëse sot mund të flasim për folklor muzikor mirëfilli shqiptar, apo muzika që e cilësojmë si popullore, është më së tepërmi ajo që përkufizojmë si tallava?!



