
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka propozuar dy marrëveshje me qeverinë e Kosovës gjatë vizitës që pati dje në Prishtinë. Në takimin me homologun Glauk Konjufca, Cakaj ka propozuar dy marrëveshje fillestare për t’u nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që pritet të mbahet në Shkodër: atë për ndarjen e shpenzimeve dhe detyrave në një fushatë të përbashkët për lobimin për njohje dhe për transmetimin e përvojave nga procesi “screening”.
“Tash e tutje duhet të kemi një bashkëpunim maksimal. I kam propozuar dy marrëveshje sa për fillim në fushën e jashtme. Duhet të firmosim një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve për lobimin për Kosovën. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë një orë e më parë, e dyta është marrëveshja për shkëmbimin e përvojave në integrimin evropian, shprehim gatishmërinë ta ndajmë me Shqipërinë”, citohet Cakaj nga mediat e Kosovës.
Ndërsa gjatë pritjes së rezervuar nga presidenti Thaçi, Cakaj ka propozuar vendosjen e ambasadave të përbashkëta për një axhendë politike të përpunuar.
“Do të shpreh gatishmërinë për vendosjen e ambasadave të përbashkëta dhe për të krijuar një axhendë politike të përpunuar. Kosova dhe Shqipëria kanë një kufi simbolik dhe realisht nuk duhet të kenë fare një kufi, ne do ta fillojmë punën menjëherë për qarkullimin e burimeve njerëzore”, tha Cakaj.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë një kufi simbolik dhe ky kufi duhet të hiqet. “Jemi të gatshëm të nisim punën për zhbërjen e kufirit. Duhet të jetë më shumë çështje e hapave teknikë sesa e diskutimeve politike”, ka thënë Cakaj.
Siç raportojnë mediat e Kosovës, Thaçi e ka quajtur Cakajn shpirt i ri i afirmimit të Kosovës në botë.



