Shijaku ka qenë një nga zonat më të goditura përsa i përket dëmeve materiale nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, u shpreh përmes Skype për edicionin e lajmeve në TvT, se procesi i rindërtimit po ecën sipas parashikimeve.
“Në platformën online për bashkinë e Shijakut, kanë qenë 2691 familje që kanë aplikuar pranë bashkisë, në qytet pas tërmetit ishin rreth 1600 familje të cilat pas akt-ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, figurojnë me shtëpi të dëmuara. Deri tani janë 850 familje, të cilat po trajtohen me bonus qeraje".
Deri ne fund të mujait nëntor, Arbana zotohet se do të finalizohen planet e parashikuara për ndërtimin e 500 banesave individuale të banorëve të dëmtuar.
“Procesi i rindërtimit në bashki ka nisur, janë 500 banesa individuale që po ndërtohen në bashki, dhe ne kemi bërë inaugurimin e banesave të para, në muajin tetor kemi rreth 50 banesa që do të dorëzojmë çelësat, dhe në muajin nëntor do të jenë shumë banesa drejt ndërtimit, procesi do të përfundojë brenda vitit, siç kemi premtuar”.
Pos ndërtimit të shtëpive të banimit, kryetari i Bashkisë së Shijakut, bëri të ditur se janë në proces ndërtimi edhe katër shkolla në këtë bashki.
Sa u takon dëmeve që shkaktoi pandemia e koronavirusit në rimëkëmbjen e bizneseve të Shijakut, të cilat janë dëmtuar ekonomikisht pa punuar, Arbana tha se përveç pagës së luftës, bashkia u ka zeruar taksën e bashkisë dhe u ka dhënë mundësinë e shlyerjes së detyrimeve të tyre edhe përmes kësteve.



