Pas 40 ditësh grevë dhe protestë minatorët e Spaçit kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimajn të cilën e akuzojnë për paaftësi dhe neglizhencë për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Informacion se Ibrahimaj ka treguar indiferencë, mungesë profesionalizmi dhe dëshirë për të zgjidhur këtë ngërç.
Sipas Nikollajt, minatorët nuk kërkojnë privilegje, por që të zbatohet ligji.
Minatorët prej 40 e disa ditësh janë në një grevë e cila është jo vetëm për kushtet e punës, sigurinë, pagën e mirëqenien, por është grevë për dinjitet. Ka kërkesa që janë ligjore dhe duhet të jenë të realizueshme. Ministria e Ekonomisë dhe në rastin konkret Ibrahimaj ka treguar një indiferencë, mungesë profesionalizmi, pse jo dhe mungesë dëshirë për të ulur palët dhe për të negociuar në përputhje me ligjin dhe konventat e huaja. Shteti ynë është në paradhomën e BE-së dhe grevën e ka simbol të shenjtë.
Jemi të vendosur të kërkojmë zbatimin e ligjit. Ajo duhet të ulë palët. Secilin ta mbështesë në referencat ligjore. Minatorët nuk kërkojnë asnjë privilegj, por të kthehen në punë me dinjitet, t’u krijohen kushtet e sigurisë, të kenë barazi në pagë me punëtorët turq, të punojnë 8 orë në ditë dhe 5 ditë në javë.



