Në kuadër të parandalimit të virusit të gripit të shpendëve, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte i pranishëm në një kompani të mbarështimit të shpendëve në të gjithë vendin.
Ai ishte në Kavajë, ku pa nga afër masat që ishin marrë nga kjo kompani për parandalimin e futjes së virusit nëse ai vjen në Shqipëri, duke kërkuar edhe masa më të ashpra duke u mbështetur tek udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë.
“Kompleksi ku ne jemi sot zbaton me rigorozitet të lartë normat higjeno-sanitare, duke filluar që nga kontrolli në fermë, dezinfektimi etj, me qëllim shmangien dhe parandalimin e futjes së bakterieve apo mikrobeve të rrezikshme të mundshme. Kjo është mjaft e rëndësishme, edhe për faktin se, ne jemi në gjëndje gatishmërie, pasi virusi i gripit të Shpendëve është mjaft afër. Ai qarkullon në Greqi, në Kroaci, në vendet e Ballkanit, por edhe të Bashkimit Evropian, ndërkohë ne po bëjmë ç’është e mundur për ta parandaluar. Dhe, e vetmja mënyrë, është marrja dhe zbatimi me rigorozitet i masave parandaluese, dezinfektimet dhe zbatimi i normave më të avancuara të teknologjisë së mbarështimit”, deklaroi Ministri Panariti.
Panariti është shprehur se deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të identifikuar dhe kjo, edhe falë masave të marra nga sipërmarrësit e mbarështimit të shpendëve, qoftë atyre për mish, qoftë atyre për vezë.
Ministri po ashtu ka theksuar se së shpejti do të vijnë kafshë të pastra nga Danimarka, ku do të mbahen në regjim karantine, e cila do të jetë pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë dhe deri në fund të muajit shkurt pritet që ato të mbërrijnë, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë vendin, aty ku ka pasur të dëmtuara nga Dermatoza.
