Soreca: Vullneti politik, i domosdoshëm për përfundimin e reformës në drejtësi

Soreca: Vullneti politik, i domosdoshëm për përfundimin e reformës në drejtësi

Zhvillimet politike të ditëve të fundit kanë riaktivizuar debatin për ecurinë e reformës në drejtësi. Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, e konsideron shumë të rëndësishëm vullnetin politik në këtë moment.

Në një intervistë për TvT.al. Soreca thotë se Bashkimi Europian pret që i gjithë sistemi politik dhe institucional shqiptar të tregojë vendosmërinë e tij për të vazhduar reformën në drejtësi.

Në intervistë, Soreca vlerëson progresin e bërë për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë si dhe punën e deritanishme të SPAK-ut.

Soreca rithekson se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë plotësisht funksionale përpara se të fillojnë bisedimet e anëtarësimit.

Si e shihni vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi?

Që nga miratimi i reformës, është arritur shumë. Vetingu ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, dhe më e rëndësishmja, organet e reja të pavarura të gjyqësorit (Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm) janë krijuar dhe tani po ndërmarrin vendime të rëndësishme për funksionimin e sistemit gjyqësor. Tani është e rëndësishme të finalizohet kjo fazë dhe të emërohet Drejtori i BKH-së dhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Për të ecur përpara drejt përfundimit të reformës në drejtësi, ajo çka është më e nevojshme tani është vullneti politik. Për t’u siguruar që institucionet e mbetura të plotësohen, për të respektuar dhe mbrojtur pavarësinë dhe paanshmërinë e organeve të reja të pavarura, si dhe për të siguruar burimet e nevojshme për ta bërë sistemin e ri gjyqësor efikas dhe të aftë për të dhënë vendime të paanshme për qytetarët shqiptarë.

Si gjithmonë, BE-ja është këtu për të ndihmuar gjyqësorin shqiptar, qeverinë dhe institucionet e tjera përkatëse. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim vetingun përmes ONM-së, dhe më e rëndësishmja, kemi alokuar 34 milionë euro kontribut të drejtpërdrejtë për buxhetin për të mbështetur përfundimin e reformës në drejtësi.

Sigurimi i zbatimit të vazhdueshëm të reformës gjyqësore është gjithashtu thelbësor për të vazhduar udhën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presim tani që i gjithë sistemi politik dhe institucional shqiptar të tregojë vendosmërinë e tij për të vazhduar reformën në drejtësi.

Vonesa në krijimin e organeve të reja të drejtësisë ka sjellë gjithashtu probleme të rëndësishme për vetë sistemin. Largimet dhe shkarkimet nga procesi i vetingut kanë sjellë boshllëqe të mëdha, të cilat janë reflektuar në dy gjykatat kryesore në vend, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Ku ka “dështuar” reforma në drejtësi dhe çfarë pritet të ndodhë me këto dy gjykata?

Reforma në drejtësi është duke u zbatuar dhe që prej krijimit të organeve të reja të pavarura është bërë e pakthyeshme. Ne, natyrisht, e kuptojmë plotësisht padurimin e shumë njerëzve që ta shohin këtë reformë në aktivitet të plotë. Por ky padurim duhet të shndërrohet nga sistemi politik shqiptar në vendosmëri për të forcuar më tej përpjekjet për ta çuar përpara reformën.

Po bëhet progres, pavarësisht ndikimit të pashmangshëm të COVID-19. Ne vërejmë se tre gjyqtarët e sapoemëruar të Gjykatës së Lartë kanë filluar të shqyrtojnë dosjet në pritje dhe, pa paragjykuar rezultatin e procedurave gjyqësore, është e rëndësishme të shihet që SPAK ka kërkuar 20 aktakuzat e para për gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë, 10 prej të cilëve ishin ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të rrëzuar në veting.

 Siç thuhet në Përfundimet e Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë plotësisht funksionale përpara se të fillojnë bisedimet e anëtarësimit.

 Presim tani që plotësimi i vendeve të lira në këto dy gjykata të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Edhe një herë, tani bëhet fjalë për vullnet politik nga njëra anë, dhe për respektimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së organeve të reja, nga ana tjetër.

Pse duhet të kërkoni ndihmë juridike nga misionet ndërkombëtare (EURALIUS) që ndihmojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, në një kohë kur ndryshimet më të fundit kushtetuese specifikojnë rastet kur mbaron mandati i një gjyqtari?

 Është e rëndësishme të theksohet se projekti EURALIUS, i cili financohet nga BE-ja dhe drejtohet nga një partneritet prej 4 shtetesh anëtare të BE-së, është ngritur për të ofruar ndihmë teknike për institucionet gjyqësore shqiptare përmes këshillave juridike dhe mendimeve këshilluese me kërkesë të veçantë të përfituesve. Këshilli i Lartë Gjyqësor është një nga përfituesit e kësaj ndihme teknike.

Prandaj është e qartë se projekti EURALIUS jep ekskluzivisht këshilla juridike jo detyruese, dhe për këtë arsye mbetet në diskrecionin e institucioneve të pavarura të drejtësisë shqiptare, në këtë rast specifik të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të ndjekur apo jo këshillat dhe mendimet e ofruara.

 Si donatori më i madh në Shqipëri, ne gjithmonë kemi synuar të ofrojmë ndihmën më të mirë të mundshme për t’u shërbyer interesave më të mira të institucioneve shqiptare, në frymën e bashkëpunimit dhe pa paragjykuar vendimet përfundimtare që u takojnë në mënyrë të vendosur dhe vetëm institucioneve shqiptare dhe që janë të rrënjosura në kornizën ligjore shqiptare.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy