Studiuesja Alba Haruni ka sjellë për publikun një ekspozitë të veçantë të titulluar “Propaganda pa Ekran”. Ajo është çelur në datën 6 shtator në ambientet e kalasë së Tiranës dhe shpalos parrulla nga Shqipëria e viteve të komunizmi. Studiuesja Alba Haruni shpjegoi në studion e MCN Informacion se interesi për ekspozitën ka qenë i lartë. Ajo tha se ekspozita të kësaj natyre i shërbejnë shkrimit të historisë.
Propaganda na rrethon sot. Na vjen ngado. Por në atë kohë, televizioni nuk ishte në shtëpi. Mundësia për ta pasur propagandën të ndikueshme në jetën e secilit ishte e limituar. Regjimi kishte gjetur formën e vet përmes afisheve. Pra materiale propagandistike që nuk përcilleshin te masat përmes televizionit. Interesi për ekspozitën ishte përtej pritshmërive. Ishin dy grupe vizitorësh: ata që e panë si nostalgjikë, ndërsa për disa të tjerë ishte edhe censurë, regjim i rreptë. Unë përjashtova fletë-rrufetë sepse kanë qenë shumë personale dhe dikush mund të lëndohej.
Propaganda është mjet komunikimi. Por format e saj janë të ndryshme. Ajo që solla unë ishte propaganda përmes afisheve. Nëpërmjet saj kontrollohej opinioni publik. Ato afishe orientonin mendimin e njerëzve. Në ekspozitë nuk mungon as revista “Hosteni”. Ekspozita si kjo mund t’i shërbejnë turizmit kulturor.



