Gazetari i Emisionit Ajsberg, Artur Çani e ka cilësuar mjekësinë të korruptuar po aq sa edhe shoqërinë shqiptare.
Lidhur me numrin e telefonit të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë ku mund të denoncohet korrupsioni, Çani tha gjatë intervistës në edicionin e lajmeve të MCN Tv se kjo është qesharake dhe se sipas tij një numër telefoni nuk mund ta zgjidhë problemin me korrupsionin në shëndetësi.
Pjesë nga intervista:
Zoti Çani, sa i shtrirë është korrupsioni në shëndetësi, kryeministri foli vetëm për një grup horrash që nuk mund të njollosin bluzat e bardha?
Çani: Duhet pyetur kryeministri çfarë përfshin me fjalën grup. Mjekësia është e korruptuar aq sa është e korruptuar edhe shoqëria shqiptare. Mjekësia nuk ka nevojë për Vetting, drejtësinë e donte për vete. Thotë një herë horra horra dhe e kalon.
Ministria ka ofruar një numër ku mund të denoncohet korrupsioni. Është e mjaftueshme kjo për të parandaluar një fenomen të tillë?
Çani: Është qesharake të thuash këtë, të thuash që një numër telefoni do mundë korrupsionin është qesharake. Çfarë do bësh me atë numër telefon. Një numër telefoni nuk e zgjidh problemin.
A funksionojne auditet e brendshme për të ndjekur dhe gjurmuar korrupsionin. A ka kontrolle periodike në spitale, kujtojmë që zoti Rama e nisi qeverisjen para 8 vitesh me një vizite surprizë në spitale?
Çani: Kjo është detyra e kryeministrit të dalë çdo ditë të viztojë spitalet? Detyra e tij është të qeverisë vendin. Me keqardhje të madhe do të them që këtu ka humbur edhe auditi jashtëm. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka humbur pa lënë gjurmë. Pse? Ku është? Unë kam bërë denoncim duke thënë se ishte një sasi e madhe maskash të skaduara dhe ato janë shitur… Kontrolli i brendshëm nuk del hapur, por tani ka humbur edhe ky i jashtmi.
Në shëndetësi janë dhënë disa koncesione, ai i strelizimit, i Check Up-it. E kanë rritur ato cilësinë e shërbimeve në shëndetësi? Është folur gjithmonë për lidhje klienteliste në këtë sektor?
Çani: Janë të gjitha përfitime gjigante të kësaj bande të ca horrave që thotë Rama, se kush janë horrat, Rama besoj i di mirë.



