
Rreth 120 anëtarë të Parlamentit Europian në Strasburg kanë nënshkruar një peticion për t’i hequr Hungarisë të drejtën e votimit në Bashkimin Europian, njoftoi të premten një eurodeputet finlandez.
Neni 7 i lejon bllokut të pezullojë një anëtar për “shkelje të vazhdueshme” të vlerave të bllokut si të drejtat e njeriut, demokracia, barazia dhe shteti i së drejtës.
Nëse një e treta e anëtarëve të Komisionit Europian dhe një shumicë prej dy të tretash në Parlamentin prej 705 anëtarësh bien dakord, një shumicë e cilësuar mund të pezullojë të drejtat e një anëtari, duke përfshirë votën në Këshillin Europian.
Eurodeputeti Petri Sarvamaa i Finlandës nisi peticionin në fillim të kësaj jave dhe ka mbledhur 120 nënshkrime deri më tani, tha ai në X (ish-Twitter) të premten.
Sarvamaa e ka akuzuar Kryeministrin hungarez Viktor Orban se e mban BE-në peng për ndihmën për Ukrainën dhe këmbënguli se heqja e të drejtave të tij ishte “e vetmja mënyrë për të mbrojtur vlerat e Bashkimit Europian dhe për të siguruar funksionimin e proceseve vendimmarrëse në bllok.”
Detyra jonë kryesore është të mbrojmë mënyrën evropiane të jetesës dhe demokracinë.
Nisma e Sarvamaa vjen ndërsa BE dhe Orban po negocionin një mënyrë për të zhbllokuar një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.
Të premten, Financial Times raportoi se blloku ishte i gatshëm të pranonte propozimin e Orban për të pasur një vlerësim vjetor.
Orban ka qenë një kritik i hapur i politikës së BE-së për Ukrainën, duke këmbëngulur se Europa duhet të punojë për paqen në vend që të mbështesë pa kushte Kievin në konfliktin me Moskën. Qeveria e tij ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë ose të lejojë kalimin e tyre përmes Hungarisë.
Me Budapestin që merr presidencën e radhës të Këshillit Europian në korrik, Orban mund të bëhet edhe presidenti në detyr , gjë që Brukseli “dëshpërimisht” dëshiron ta shmangë, raporton RT.
"Mbi të gjitha, ne duam të ruajmë aftësinë vendimmarrëse të BE-së në këto kohë të vështira, kur nevojiten vendime të përbashkëta, për shembull, për të mbështetur Ukrainën”, tha Sarvamaa në një deklaratë në fillim të kësaj jave.
Ai vuri në dukje se Orban nuk mund të mbështetej më në mbështetjen e Polonisë, ku kohët e fundit mori pushtetin një qeveri e re pro-Brukselit, por mund t’i drejtohej Sllovakisë ose Holandës, të cilat së fundi zgjodhën populistët.



