Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, në raportimin e bërë në parlament mbi punën e institucionit të drejtuar prej tij deklaroi se problem mbeten vakancat e krijuara nga vetingu.

Gjatë vitit të lënë pas në të gjitha nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve, shoqëruar edhe me ngarkesën e shtuar nga dosjet e mbartura.
Në vijim kryeprokurori deklaroi se përqindjen e kriminalitetit më të lartë e ka pasur qarku Vlorë, ndërsa atë me kriminalitetin më të ulët e ka pasur qarku Dibër.
Ndërsa sa i përket hetimeve financiare dhe pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, në vitin 2023, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: konfiskime pasurie dhe aseteve kriminale në kuadrin e 6 çështjeve, numër i njëjtë me vitin 2022, dhe sekuestrime pasurie dhe aseteve kriminale në kuadrin e 24 çështjeve, nga 18 për vitin 2022.
Në kuadrin e procedimeve dhe hetimeve pasurore, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: 8 konfiskime pasurie/asete kriminale dhe -10 sekuestrime pasurie/asete kriminale nga 7 në vitin 2022.
Në shifra, rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2.53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfiskimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro.



