Kryetari i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se në Shqipëri ka një rritje me 17-20 për qind të turistëve në raport me vitin e kaluar. Ai theksoi se Shqipëria duhet të zgjasë sezonin turistik dhe të mos mbushet me vila, por të ndërtojë kapacitete akomoduese, si hotele apo resorte, duke ndjekur shembullin e Malit të Zi. “Ka qenë një vit më i mirë se sa viti që lamë pas. Ka një rritje, rritja po shkon drejt maturimit, drejt 17-20 për qind. Efekti i rritjes me 30-40 për qind ka qenë tremujori i parë, kur Europa ishte e mbyllur. Kemi një vit më të suksesshëm. Ky është lajm i mirë. Përgjithësisht strukturat kanë qenë të përgatitura. Disa probleme janë stabilizuar, pasi kontratat tani janë bërë deri në 5-vjeçare, dhe kjo bën që investimet të jenë më serioze. Këto tre muaj janë më intensivët ku vijnë 63 për qind e turistëve. Shpresojmë të zgjatet sezoni, shtatori do të jetë një muaj i mbarë”, tha Topozi. Lidhur me planin e qeverisë për rritjen e kapaciteteve hoteliere përgjatë rivierës, Topozi tha: “Kjo është një kërkesë e bërë nga industria prej 10 vjetësh. Është një politikë e gabuar prej 30 vjetësh, ndërtimi i strukturave jo për turizëm. Shqipëria s’mund të mbushet me vila dhe apartamente për t’u shfrytëzuar jo për turizëm, nuk e ka këtë luks. Mund të ketë një turizëm gjithëvjetor, dhe i mungojnë hotelet e mëdha, për klientë që kanë mundësi financiare, që duan pushime të kufizuara në kohë dhe shpenzojnë për gjithë familjen. Kapacitetet akomoduese, po të krahasohesh me Malin e Zi, që ka 1/3 e vijës bregdetare, ne kemi gati dy herë e gjysmë më pak kapacitete akomoduese. Ndërkohë që Mali i Zi ka tentuar të bëjë hotele, resorte, ose fshatra turistikë për turizmin, jo për vila personale, ka bërë që treguesit të jenë 50 për qind më të larta krahasuar me Shqipërinë. Ai siguron gati 32 për qind të PBB-së nga turizmi, ndërkohë që Shqipëria ka 20-22 për qind të PBB-së nga turizmi. Është mundësia që gjysma e bregdetit që është bosh, të përdoren për resorte dhe hotele me kapacitete të mëdha duke i stimuluar. Këta janë investitorët që duhen stimuluar për të shtuar kapacitetet akomoduese”. I pyetur mbi turizmin malor, Topozi vuri në dukje se vendi ynë duhet të përmirësohet në turizmin e bardhë dimëror. “Shqipëria është një vend që ofron mal, det, lugina. Një llojshmëri të ndryshme turistësh, kapacitetesh për të zhvilluar turizëm. Një nga gjërat më pozitive është që është një infrastrukturë e ndërtuar. Ne jemi dobët në turizmin e bardhë, dimëror. Duhen subvencionuar, përmirësuar treguesit, për ta bërë 365 ditë. Duhen politika që të kemi punonjës të qëndrueshëm dhe shërbime cilësore. Duhet të punojmë në mënyrë intensive për të bërë politika stimuluese për të përthithur punonjësit që janë larguar nga Shqipëria. Kërkesa për punonjës të huaj në Shqipëri është minimale, pasi tentativat kanë qenë të dështuara. Kanë ardhur punonjës pa eksperiencë dhe në tentativë për t’u larguar. Turizmi të shtrihet në 8 muaj që ata që punojnë në rajon të jenë të interesuar të kthehen, pasi pagat pak a shumë po barazohen me rajonin”. I pyetur mbi çmimet e strukturave akomoduese dhe rolin e kursit të euros, Topozi tha: “Nga raportet e Eurostat Shqipëria është vendi më i lirë në BE në sektorin e mikpritjes, në restorante, bare dhe hotele. Raporti çmim-ofertë përcakton edhe mundësinë financiare që ti se konsumator. Rënia e euros ka shkaktuar një dëm në eksport. Kontratat 70-80 për qind janë mbyllur një vit më parë, dhe rënia me 10-15 për qind ka dëmtuar sektorin formal që punon me kontrata dhe pagesat janë përmes sistemit bankar. Vërtet qeveria mund të ketë interesa të momentit që lidhen me borxhin dhe inflacionin, por në afat mesëm do dëmtohen sektorë që lidhen me eksportin, turizmi dhe bujqësia”.



