
Në një rast spiunazhi iranian, shtatë banorë të Jerusalemit Lindor janë arrestuar me dyshimin se planifikonin sulme në Izrael, duke përfshirë vrasjen e një shkencëtari bërthamor izraelit dhe një kryebashkiaku në Izraelin qendror.
Të dyshuarit janë të gjithë të moshës 19 deri në 23 vjeç, thonë zyrtarët në polici dhe Shin Bet. Kreu i grupit një 23-vjeçar i quajtur Rami Alian, u rekrutua nga një agjent iranian.
Nga verifikimet rezultoi se asnjë nga të dyshuarit nuk kishte të dhëna kriminale lidhur me sigurinë.
Atyre iu dhanë misione të ndryshme për të cilat u paguan, duke përfshirë mbishkrime të cilat kërkonin lirimin e pengjeve në Gaza dhe vandalizëm në Jerusalem, si dhe u ngarkuan të fotografonin vende të ndryshme.
Në një moment atyre iu tha të hidhnin një granatë në drejtim të një punonjësi të sigurisë izraelite, megjithëse kjo nuk u krye.
Alian iu dha një fotografi dhe adresa e shkencëtarit bërthamor dhe iu tha se do të paguhej rreth 53 mijë dollarë nëse do të kishte sukses.
Autoritetet thonë se ai filloi përgatitjet për aktin, por u arrestua para se të mund ta kryente.
Alian u tha hetuesve se ishte i vetëdijshëm se po punonte për iranianët dhe donte të dëmtonte sigurinë kombëtare, duke përmendur luftën në Gaza.
Zbulimi vjen vetëm një ditë pas publikimit të kapjes së një rrjeti tjetër spiunazhi.



