Është shtyrë për ditën e nesërme mbërritja e 40 emigrantëve në Portin e Shëngjinit, dhe mandej në Kampin e Gjadrit, raporton korrespondenti i MCN TV Juli Simoni.
Lajmi bëhet me dije nga Autoritetet Portuale në Shëngjin. Sipas informacioneve mësohet se ka pasur det të trazuar në pjesën e Italisë, dhe autoritetet italiane kanë vendosur ta shtyjnë për ditën e nesërme.
Qeveria Meloni po vë në jetë dekretin e miratuar më 28 mars dhe tashmë kampi i Gjadrit do të përdoret edhe për ndalimin e emigrantëve që presin dëbimin dhe që nuk kanë më të drejtë për azil.
Në bazë të këtij dekreti, nesër në Portin e Shëngjinit priten të mbërrijnë dy anije me total 40 emigrantë që kanë urdhër dëbimi.
Emigrantët pritet të sillen me dy anije dhe do të dërgohen ne kampin e Gjadrit. Në Kampin e Gjadrit ka një kapacitet për 500 persona, por s'kanë përfunduar plotësisht punimet.
Megjithatë po vijon puna për të rritur kapacitetin e këtij kampi.



