Anti lajmi 2020

Anti lajmi 2020

Ina Gjonçi

Prolog i një epilogu....

Tërmeti, pandemia, shpresa për normalitet, rikthimi në normalitetin e ri që ende’ na duket anormal: realiteti i shtetrrethimit, dhe ditët e fundit...të një 2020 për tu harruar. Kjo do ishte pasqyra e lajmeve, në një buletin të zakonshëm. Unë vendosa të zgjedh lajmet e 2020 që kanë lënë mbresa tek unë, zgjedhur nga një tjetër këndvështrim...cinik ose jo, nuk di të them.
 
Tërmeti...dhe çasti që na bëri bashkë.
 
U ndjemë shqiptarët e të njëjtës Shqipëri ato ditë kur kuptuam që të gjithë jemi të barabartë para natyrës.
Unë deri diku në fakt, pasi apartamenti im në Tiranë, ishte i vetmi në pallat, me tavan të carë, pas tërmetit të parë. E rregullova, por shpejt erdhi i dyti, e ja që për pak, po mendoja ta lija atë “gropë” si dëshmi të vrazhdësive të natyrës. Gjths tavani tani është ne rregull, por problemi fshihet gjetkë: shumë rrallë ne kuptojmë që nëse bëhemi bashkë, dicka e mirë ndodh. Energjia pozitive e atyre ditëve (vec klithmave paditëse për batanije të vjedhura) na tregoi se bashkë (por edhe me ndihmën e italianëve të specializuar në urgjenca sizmiologjike) mund t’ja dalim.
 
Pandemia dhe shqiptarët në radhë.
 
Karantina e ditëve të para, na bëri kuzhinierë të zotë, lexues të pashembullt, familjarë të shkëlqyer. Ditët kaluan e nervozizmi, nisi të nxirrte kryet, ashtu qetë, e pastaj me goditje të përqëndruar. Pasi u ndjemë qytetarë të botës kësaj here, të ngjashëm me atë parizienin që ha omletë pranë Kullës Eiffel, pasi në rrjetet sociale dhamë më të mirën tonë, 2020 do mbahet mend si viti që u mësoi shqiptarëve (kujt më shumë e kujt më pak) se mirëqënia ime si qytetare është e lidhur fort me tënden si qytetar, dhe se fundja të qëndrosh në radhë duke pritur, nuk është “fanta-shkencë”.
“Ziliqarët”, ndër ta edhe unë, u gëzuan që të gjithë do ishim në Dhërmi, e askush në Maldive...por ja që prapë pashë disa foto vajzash që rastësisht kishin humbur rrugën nga ato anë edhe kësaj here...
Pavarësisht ‘Rrethit Katror’, konspiracionistëve, komplotistëve, skeptikëve e stoikëve, jemi dëshmitarë të gjallë, të një epoke të cuditshme, që po na mpreh shqisa e ndjesi’ të harruara si vëmendja tek vlera e kohës, e jetës, e lirisë, dhe domosdoshmëria për të mbajtur gjallë shpresën. E vetmja aftësi’ që me zor të madh po mpreh, është të kuptoj që njeriu që më thërret cdo ditë në lagje, nën maska me ngjyra të ndryshme, është imë më.Përsëri!
 
Shkëlqimi dhe rënia e Susan Miller.
 
Në castin që Dalina Buzi e solli astrologen në jetën tonë, përmes pushtetit të faqes ‘Anabel’, burra e gra që jetonin prej vitesh nën të njëjtën cati, shihnin njëri tjetrin me dyshim, pasi Miller i sugjeronte gruas Dash, lidhje me burrin Shigjetar e jo me këtë Ujorin që ajo kish zgjedhur. Në fillim të muajit, Dita e Madhe, nuk ishte data e rrogës por data e horoskopit Miller.
Astrologia, e njohur edhe në botë për hir të së vërtetës, në fund të 2019, e cilësoi 2020 në parashikimet e saja të enkriptuara, si një vit të jashtëzakonshëm shprese e mirësie.
Paolo Fox ndërkohë ka vite që cdo janar më thotë që do gjej dashurinë e jetës brenda vitit, e prapë unë nuk i jam vërsulur sic ju turrën shqiptarët dhe bota, Millerit, për “gabimin” e saj. Jeta ju rikthye normalitetit: tani “D-day” -kështu u emërtua dita kur Aleatët zbarkuan në Normandi, por po e përdorim figurativisht- pra Dita e Madhe, është sërish, data e rrogës.
 
Mikeshat e mia që u bënë nëna...dhe jeta që vazhdon!
 
Mikeshat e mia u bënë nëna, disa të tjera, në një vit të vështirë, festuan ditlindjen e dytë të bebave të tyre. Dr. Anika Dokle, si një himn ndaj shpresës, në një kohë që buletini i humbjeve në frontin e Covid19 vazhdonte, vijonte me shifrat e bebushave të sapolindur,  si simbol i vijueshmërisë së atij cikli të jashtëzakonshëm që është “jeta”.
 
 
Shpresa...
 
U përshtatëm edhe kësaj here.
Ja dolëm.
Mbijetuam.
Jetuam.
Qeshëm dhe mes lotësh.
Qamë edhe mes buzqeshjesh.
Unë gjeta formën për të qëndruar pranë njerëzve me standups, në një kohë që sallat ishin të mbyllura...
E do vazhdoj të kërkoj se si mund të qëndroj në këtë hapësirë, duke bërë atë që dua! E kam fjalën për profesionin, jo për “fenomenin e vitit” që kësaj here vjen nga fusha leksiko-ndjesore dhe quhet ‘Ashtu e ndjeva, ashtu e bëra”...
E sigurt që trafiku nuk do bëhet më mirë, e bindur që Tirana do vazhdojë të jetë kantier pune (ku të tjerë punojnë e të tjerë fitojnë para’ ne fakt), e sigurt që nuk jam e sigurt se kur do jem sërish në skenë, e shqetësuar për veten në rradhë të parë, që vaksina “krijokërshka” alergji’ për ata që kanë injektuar filler, e pasigurt për...
Prisni pak...se më duallën shumë pasiguri’ në listën timë, por juve ju uroj të jeni të mirë, të ditur e më të buz’qeshur me veten e botën. 2021 të mbarë (më keq se 2020 nuk mund të jetë: pak por e sigurt).

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy