Nga sot e tutje, çdo rus apo arab mund të vijnë në Shqipëri, pa pasur nevojë për një vizë. Kjo parashikohet në vendimin nr 471 të Këshillit të Ministrave, botuar më 30 maj të këtij viti. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit të vitit 2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi që në listën e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe dokumenti që duhet të paraqesin” shtohen shtetet: “Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani, me dokumentin pasaportë, për periudhën 31 maj-15 nëntor 2017”.
Në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa viza si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën Shengen” shtohet shteti “Moldavia, me dokumentin pasaportë”. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Kësisoj, Shqipërisë i hapet rruga për të thithur një numër tepër të madh turistësh, sidomos nga vendet që kanë njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm si Arabia Saudite apo Katari, duke mos llogaritur këtu flukset e panumërta të rusëve, të cilët deri më tani duket se i ka penguar disi klauzola e pajisjes me vizë.



