Në seancën e 12 shtatorit, e cila do jetë e para për sesionin e ri, do të futet në rendin e ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës. PS dhe PD ranë dakord sot në Këshillin e Legjislacionit që t’i dërgojnë kryeparlamentares Spiropali kërkesën për përfshirjen në seancë për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.
Mbledhja e sotme në Këshillin e Legjislacionit nuk ka kaluar pa debate, ku deputetët e mazhorancës kundërshtuan propozimin e opozitës lidhur me hartimin e një raporti. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi kaishte hartuar një draftraport me 4 pika ku i sugjeron kuvendit hapat qe duhet të ndërmarrë për zbatimin e vendimit, por që u kundërshtua nga socialistët.

Pikat

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.