Zjarri i rënë në komisariatin e policisë Kamëz ku një i ndaluar humbi jetën, një tjetër mbeti i lënduar bashkë me një polic, për gazetarin Poli Hoxha, është tentuar të mbahet e fshehtë.
Ai tha për MCN Live, se ngjarja u tentua të mbahej e fshehtë fillimisht, pasi imazhi është parësor.
Nuk mund të mbahet zjarri i fshehtë me një kufomë brenda. Çështja ka qenë që të rregullohet situata e provave dhe njoftimet janë absurde, jo çakmaku, jo po shikohej ndeshja. Nëse një gazetar do provonte që të futej dhe shoqërohej, nëse bën një xhiro në këto dhoma të shoqërimit, në të gjitha ambientet e komisariateve të Tiranës, do të ndodhë një maskaradë e vërtetë. Se bëjnë fushatë të caktuar dhe shoqërojnë me dhjetëra njerëz. Bëjnë fushatë për bastet online dhe shoqërohen me dhjetëra. Historia e shkeljes së të drejtave të njeriut është e jashtëzakonshme. Unë nuk pres dorëheqje, do prisja nga prokuroria që gjithë zinxhirin aty, të paktën të atij turni, të ishin arrestuar apo shoqëruar. Hetimi i ish-SHKB duhet të shtrihet tek të gjithë, se nuk ndodh vetëm aty, kjo është ajo që plasi.
Sipas Hoxhës, në çdo vend tjetër, familja e viktimës do hidhte në gjyq dhe do merrte miliona e miliona.
Edhe brenda në qeli me vendim të formës së prerë, nëse e ke dënuar me 5 vjet, nuk e ke dënuar me pushkatim. Ky është një skandal i paprecedentë, sepse ka ndodhur brenda institucionit të shtetit.



