Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinj në qytetin e Beratit, duke deklaruar se më 18 qershor do të zhvillohen zgjedhjet dhe nuk do të bëhet nami siç pretendon Partia Demokratike. Sipas Ramës, opozita është bërë mburojë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë marrë peng Shqipërinë për çerek shekulli.
"Të gjithë e keni marrë vesh që Partia Demokratike ka vendosur të mos bëhet pjesë e këtij procesi, ka vendosur që t’i braktisë zgjedhjet, ka vendosur të hyjë në rrugën pa krye të frikës që e la kapur nga drejtësia dhe duke qenë se janë tmerrësisht të trembur nga zbatimi i reformës në drejtësi, duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje dhe duan t’i trembin të gjithë ata që jetojnë në këtë vend se po nuk u bë siç duan ata, do të bëhet nami.
Të jeni të sigurt, këtu nuk do të bëhet asgjë tjetër përveç vullnetit të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të këtij vendi që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa.
Prindërit tuaj akoma nuk e kanë harruar se ku i çoi paratë e tyre marrëzia e atyre që janë ngujuar në bunkerin e plasmasit. Të gjithë këto vite, njerëzit e ndershëm të këtij vendi, me punë, sakrifica, fal edhe njerëzve në emigracion, e kanë ngritur bazën familjare të cilën ne nuk mund ta lejojmë të rrënohet.
Siç po luftojmë me mish e me shpirt të miratojmë Vettingun do të luftojmë me mish e me shpirt për të rritur mirëqenien. Ju e keni parë se si nga frika për t’u përballur nesër me drejtësinë, ata janë bërë sot mburoja e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë marrë peng Shqipërinë për çerek shekulli. Kjo e gjitha do të marrë fund më 18 qershor dhe me këtë do të mbyllet edhe kapitulli i PD-së siç e kemi njohur deri më tani", deklaroi kreu i qeverisë.
Sipas tij, PD-ja qe solli vitin 1997 është futur sot ne një bunker plastmasi.
“Të votosh për herë të parë është një moment shumë i rëndësishëm. Në 18 qershor ne do të ndahemi njëherë e mirë nga e kaluara. Do ecim drejt Europës, apo do kthehemi pas për t'u futur në bunkerin e plastmasit ku PD po shkruan historinë e saj më të shëmtuar. Më 18 qershor nuk vendosim thjesht se kush do qeverisë, por si do jetë Shqipëria e 15 viteve të ardhshme. Na duhet të jemi të vetëdijshëm se të votosh do të thotë të vendosësh dhe sa më shumë shoqe, shokë, miq, të njohur, ju të merrni me vete në këtë rrugë që kemi nisur së bashku dhe sa më të bashkuar të jemi në 18 qershor, aq më e fortë do të jetë Shqipëria që duam", u shpreh Rama.



