
India po përgatitet të ndaluar përfundimisht kriptomonedhat. Ndalimi do të përfshijë të dy monedhat private të kompanive të huaja digjitale, Bitcoin ose ajo e shpallur pak javë më parë nga Facebook, por edhe monedhat virtual indiane. Çdo lloj aktiviteti që lidhet me këto lloj monedhash do të dënohet si kriminal dhe do të ndëshkohet nga gjoba të rënda deri në dhjetë vjet burg.
Lajmi mësohet nga një dokument i paraqitur dje në qeverinë “Modi” nga Komiteti Ndërministror, I ngritur në fund të vitit 2017. Megjithatë, sipas gazetës “Economic Times”, ky komitet sugjeron që qeveria dhe Banka Qendrore Indiane (RBI), të zhvillojnë një model zyrtar dixhital të monedhës në vend, nën kontrollin e RBI. Për këtë do të ngrihet edhe një organ i posaçëm rregullator.
India është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në vitet e fundit. “The Economist” parashikon që brenda këtij viti, ajo të kalojë ekonominë e Britanisë së Madhe, koloni e të cilës ka qenë për rreth 200 vjet.



