Protesta e lajmëruar se do të mbahej sot në Tiranë në lidhje me marrëveshjen për emigrantët ka dështuar, pasi askush nuk shkoi në orarin dhe vendin e caktuar.
Ndërsa një tubim u mbajt në Lezhë, në një intervistë për MCN, gazetarja e La Stampa, Letizia Tortelo tregoi pse kjo marrëveshje nuk është pritur mirë në Itali, jo për shkak të heqjes së barrës për të mbajtur refugjatët, por prej kostove të larta ekonomike që do të ketë ndërtimi i kampeve për Italinë.
Megjithatë, ajo thotë se politikisht, nënshkruesit e marrëveshjes, Meloni dhe Rama janë fitues, e para si një politikane që tregon se mbron kufijtë e BE, dhe i dyti për kredo politike.
Megjithatë, Tortelo mbetet skeptike mbi mënyrën se si do të funksionojë kjo marrëveshje, dhe sa do të funksionojë dërgimi i refugjatëve nga Italia në Shqipëri.
Ndërkohë protestë u mbajt vetëm në Lezhë. Qytetarët të udhëhequr nga përfaqësues lokalë të opozitës marshuan me moton "Jo kampeve te emigrantëve" ata e konsideruan marrëveshjen si diskriminuese për zonën dhe Veriun.
Qytetarët e Lezhës paralajmëruan se nëse do të ndërtohen dy kampet në Shëngjin dhe Gjadër, protestat nga komuniteti do të përshkallëzohen.



