Ekonomia franceze ka shënuar performancën e saj më të keqe që nga viti 1945, duke pësuar një rënie prej gjashtë për qind për tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa pandemia Covid-19 shkatërroi gjithë veprimtarinë e biznesit, tha të mërkurën Banka e Francës.
Shifrat zyrtare zbuluan se më parë ekonomia shënoi një rënie prej 0.1 përqind në tre muajt e fundit të 2019-ës, çka do të thotë se duke llogaritur edhe dy tremujorët e tjerë që shënuan një bilanc negativ, vendi tani është teknikisht në recension.
Sipas bankës franceze në dy javët e fundit të marsit, ndërsa kriza e koronavirusit u thellua në vend, aktiviteti ekonomik ra në 32 përqind.
“Duhet të kthehemi në tremujorin e dytë të vitit 1968, kur vendi u përfshi nga trazirat politike, për të gjetur një rënie të ngjashme të aktivitetit ekonomik”, tha banka, gjithashtu theksoi se edhe atëherë rënia ishte 5.3 përqind, akoma më e vogël se shifra e fundit.
Vlerësimi i një rënie prej gjashtë për qind nga Banka e Francës është treguesi i fundit i ashpërsisë së tronditjes për ekonomitë europiane nga kolapsi i njëkohshëm i kërkesës dhe ofertës.
Në industri, rëniet më të mprehta të aktivitetit ishin në sektorin e automobilave dhe makinave, ndërsa hotelet dhe restorantet patën goditjen më të rëndë në shërbime.
Në përgjithësi, Banka Francës tha që humbja e aktivitetit në një javë të izolimit është rreth 32%, ndërkohë që Insee e kishte vlerësuar rreth 35%.
Studimi i Bankës së Francës gjithashtu tregoi se fabrikat po funksionojnë me vetëm 56% të kapacitetit, një rekord relativisht i ulët nga 78% në shkurt.
Kjo humbje e aktivitetit do të thotë që për çdo dy javë mbyllje, PBB-ja e vitit 2020 do të jetë 1.5% më e ulët, tha Banka e Francës, por ajo paralajmëroi që humbja aktuale e prodhimit mund të jetë e ndryshme pasi bizneset dhe konsumatorët po përshtaten në një mbyllje më të gjatë.



