Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur prej dy javësh një sulm frontal ndaj prokurorit Olsi Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani, të cilët e hetuan dhe e vunë pas hekurave për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash.
Veliaj ka postuar deklarata dhe shkrime ku intimidon, linçon, fyen dhe deri në njëfarë mënyre ka kanosur prokurorin Dado.
Për gazetaren Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, kjo strategji e Veliajt është e gabuar, edhe pse avokatët e tij e kanë këshilluar që të merret më shumë me provat, dhe jo me sulme publike ndaj prokurorit.
Lidhur me këtë, unë e shikoj si një strategji të gabuar të Veliajt. Në këndvështrimin tim, kjo është një qasje e gabuar.
Ata që kanë këshilluar Veliajn dhe grupi i tij i avokatëve, disa prej tyre janë kundër mënyrës se si Veliaj po sillet në raport me prokurorinë.
Sepse, sado që Veliaj të bëjë show publik, të ketë debatime, në fund ai do të duhet të përballet me ligjin dhe të diskutojë provat.
Disa nga avokatët e Veliajt e kanë këshilluar që të merret me provat dhe të fokusohen në to, por duket se Veliaj nuk i ka dëgjuar këshillat e tyre.
Veliaj është duke mbajtur një diskurs publik dhe politik, duke sulmuar vetëm prokurorin Dado. Nëse ka prova kundër Dado, ato duhet të dorëzohen në prokurori dhe të ndiqet procesi ligjor.



