
Është hapur plotësisht segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë-Durrës deri te mbikalimi i Rinasit.
Ndërkohë së shpejti nis puna për vijimin e mëtejshëm të aksit drejt Durrësit, si edhe për segmentet e Korridorit Blu, Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier, ndërsa në javët në vijim pritet dalja e fituesit të garës për segmentin Milot-Balldren.
Hapja e segmentit u ndoq nga afër nga Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi si dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.
Ministri e cilësoi rrugën si mundësi për shkarkimin e trafikut nga qytetet e veriut, si Shkodra dhe Lezha.
Ministri Karakaçi, gjatë inspektimit, theksoi rëndësinë strategjike të këtij aksi.
Ky segment është bashkimi i tre fazave, me rreth 7 kilometra të kontraktuara. Aktualisht ndodhemi në kilometrat e para që fillojnë nga Casa Italia dhe përfundojnë në kilometrin e 6, tek dalja për në Rinas. Duhet të theksojmë se këtu janë përfunduar dy fazat e para, ndërkohë që kemi të kontraktuar edhe fazën e tretë, e cila nis nga mbikalimi i Rinasit dhe vijon deri te mbikalimi i Laknasit. Do të hapim edhe pjesë të tjera të rrugës, pasi mbikalimi i Rinasit krijon një ‘hinkë’ që kufizon lëvizjen e automjeteve. Ai është i kontraktuar për t’u demontuar dhe projekti parashikon ndërtimin e hyrje-daljeve dhe rampave të reja për aeroportin.
Segmenti i përfunduar tashmë është me katër korsi dhe është realizuar me teknologji të re asfaltimi, e përdorur për herë të parë në vend, duke përmirësuar ndjeshëm standardin dhe sigurinë rrugore.
Nga ana e tij, Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, u shpreh se së shpejti do të nisë zbatimi i kontratës për gjelbërimin, që do t’i ndryshojë pamjen autostradës.
Kozeli shtoi gjithashtu se punimet vijojnë në fazat e tjera të projektit: “Ndërkohë jemi në fazë punimesh në fazën B, që përfshin nyjën e Laknasit, mbikalimin e Rinasit dhe zgjerimin e nënkalimit.”
Duke folur për vijimin e investimit, Karakaçi bëri të ditur përshpejtimin e procedurave për zgjerimin e mëtejshëm të aksit.
Kemi parashikuar vijimin e Tiranë–Durrësit për vitin 2027, por pas diskutimeve do ta afrojmë në vitin 2026, në mënyrë që menjëherë të vijojmë pas kilometrit të 7-të me segmentet pasuese. Kjo është një rrugë prioritare, pasi lidh portin e Durrësit me pjesën tjetër të vendit dhe ndikon drejtpërdrejt në lehtësimin e trafikut, veçanërisht për hyrjet nga veriu drejt Tiranës, duke u lidhur me aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit.
Në fokus të qeverisë është edhe avancimi i projekteve të tjera madhore infrastrukturore në kuadër të Korridorit Blu.
Segmenti Kashar–Lekaj është në fazë përfundimtare të oponencës teknike dhe dokumentacionit, në mënyrë që të nisë zbatimi nga kontraktori. Ndërsa Milot–Balldren është në fazat përmbyllëse të procedurës dhe shumë shpejt, brenda dy-tre javësh, pritet shpallja e fituesit. shtë një rrugë që ndikon në lehtësimin e trafikut për qytetet e veriut, kryesisht Shkodrën dhe Lezhën, si dhe gjatë sezonit veror kontribuon në zhbllokimin e qarkullimit në të gjithë bregdetin Adriatik.



