Gazetari Adriatik Doçi deklaron se historia e inceneratorëve ka nisur që në vitin 2014, por se u denoncua gjashtë vite më vonë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, kur u bë padia penale.
Për mendimin tim padia penale u bë si një lloj hakmarrje ndaj Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos që u larguan nga LSI.
Për mua duhet të ishte hetuar në total, por në të gjithë këto akuza, në shifra dhe gjëra ka dhe disa të vërteta të tjera që nuk thuhen.
Duke folur për çështjen e inceneratorëve në emisionin “Bilardo” në MCN TV, Doçi tha se më shumë se sa vjedhje të parave publike, aty kemi të bëjmë me evazion fiskal, dhe me qarkullim parash për të pastruar para, sepse janë objekte, të paktën për Fierin dhe Elbasanin.
Në vijim tha se është kthyer në çështje debati çështja e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Kemi një alibi nga Sali Berisha që thotë që Edi Rama kur ishte kryetar bashkie me KKRRT, ka vendosur që një pjesë të klubit “Partizani” ta bëjë ndërtesë, pse mos ta bëja dhe unë pastaj kur erdha në pushtet.
Djalli fshihet në detaje. Te KKRRT që kishte Edi Rama, shumicën e kishte Berisha.
Besoj se deri tani që funksionoi SPAK, pas dy vitesh ka një pakt mes faktorëve kryesorë të politikës që ndajnë interesa të caktuara, Lulzim Basha, Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama.
Kemi denoncuar pafundësisht afera dhe detaje, se si interesat e tyre lidhen me njëra tjetrën me kulla, me koncensione që sapo erdhi Rama në pishtët tha do ia anuloj të gjitha Sali Berishës, tani jo vetëm që nuk po ia anulon, por po i zgjat kontratën.
Mund të jetë pakt i heshtur, por që po prishet nga SPAK. SPAK nuk është arma që do zhdukë korrupsionin, është detyrë e qeverisë që të rrisë mirëqenin.
Besoj se jemi në perëndim të figurave që kanë dominuar pluralizmin në Shqipëri. Kemi një rezistencë të madhe nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Kjo që po bën SPAK nuk është vetëm një ndëshkim penal ndaj elitës politike 30-vjeçare në Shqipëri, por është fundi i kësaj elite.



