
Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme, kanë shkaktuar disa probleme në qarkun e Elbasanit. Në akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Librazhd-Stëblevë dhe Gramsh-Mollë Grabovë ka pasur rënie inertesh e gurësh që janë pastruar nga firmat kontraktuese e aktualisht akset janë të pastra.
Aktualisht nuk ka reshje dëbore në akset rrugore. Në Qafë Thanë në mbrëmje nisen reshje të dobëta bore shoqëruar me shi dhe rruga është e hapur. Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë për arsye defekti në dy fshatra të njësisë administrative Orenjë, bashkia Librazhd, dhe një fshat të njësisë administrative, Kajan bashkia Belsh.
Ndërkohë, në pjesën tjetër të qarkut situata vijon normalisht. Nuk ka raportime për probleme nga emergjencat civile në bashkitë e qarkut. Strukturat në bazë të parashikimeve te motit dhe orientimeve të të dhënave nga Institucioni i Prefektit të Qarkut vazhdojnë në gatishmëri për çdo situatë.



