
Në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka krisje mes kreut të Komisionit të Jashtëm Haki Abazi dhe kryeministrit Albin Kurti.
Abazi tha se me urdhër të kryeministrit është iniciuar shkarkimi i tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë. Dje ai paralajmëroi se sot do të mbante një konferencë për media ku do të fliste lidhur me kërkesën e Kurtit për shkarkimin e tij. Po ashtu Abazi tha se “po ashtu do të flasë edhe për audio/video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë”.
Abazi tha se ekzistojnë video që tregojnë se kush i zhduku mostrat e rastit “Dehari”.
“Videoincizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”, ka thënë ai. Ai shtoi se Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balën dhe Flutura Gogaj-Bajrami.



