Ministria e Arsimit ka bërë publike procedurën që do të ndiqet për punësimin e mësuesve që kërkojnë të punësohen. Sipas MAS, pas testimit që do të zhvillohet më 21 janar, do të bëhen kalkulimet se kush do të ketë mundësi të emërohet për vendet e lira.
“Testimi i kandidatëve për ushtrimin e profesionit të mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar do të zhvillohet në datën 21.01.2017, ora 10.0012.30, në mjediset e planifikuara nga drejtoritë arsimore rajonale”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Arsimit. Në udhëzimin nr.38 të Ministrisë së Arsimit, thuhet se emërimet e mësuesve bëhen nëpërmjet konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” që përfshin 3 faza. Në fazën e parë bëhet konkurrimi me dosje, ku kandidatët duhet të plotësojnë 13 dokumente. Mungesa e një dokumentacioni skualifikon automatikisht kandidatin. Më pas, kandidatët që kualifikohen në këtë fazë marrin pjesë në testim, raporton “Shqiptarja.com”.
Pas testimit realizohet lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë ku listohen kandidatët në bazë të pikëve të grumbulluara. Sa i përket fazës së fundit, ajo lidhet me përzgjedhjen e vendit të punës, ku përparësi i jepet kandidatit që ka numrin më të madh të pikëve. Kandidati emërohet nga drejtori me kontratë individuale për një periudhë prove 1 vit, dhe pas kësaj, miratohet nga komisioni i shërbimit psiko¬social, ku bëhet edhe emërimi definitiv i mësuesit. Kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen e tyre deri në 23 nëntor. Testimi i të gjithë kandidatëve për testim do të jetë në përputhje me profilin e tyre.



