
Kanë kaluar gjashtë vite qëkur Eva dhe Endri Dumani kaluan kufirin dhe përfunduan në kampin famëkeq të Al-Holit në Siri.
Në përpjekje për t'i riatdhesuar, familjarët e tyre dërguan pranë fëmijëve, gjyshen e tyre Mentije Dumani. Tentativat e saj vazhduan për një kohë të gjatë por nuk u finalizuan për shkak të një sëmundjeje që i mori jetën. Vetëm, dhe pa askënd afër në kamp, Eva dhe Endri shpresojnë të kthehen në shtëpinë e tyre në Shqipëri pranë nënës së tyre, ndërsa babai u është vrarë.
Në një rrëfim për TvT, daja i fëmijëve Xhetan Ndregjoni, thotë se i ka ezauruar të gjitha rrugët zyrtare dhe jo zyrtare, por nuk ka mundur të rikthejë t’i miturit në shtëpi.
“Nuk ka ngelur organ pa kontaktu, që nga data 27 janar 2014, që nga data që ne kemi marrë lajmin se ajo është larguar për në Seri. Kontakte të vazhdueshme me të gjithë institucionet, me mbarë, me shërbim, me Ministri të Jashtme, me Antiterror, me Ministri te Brendshme, me letrea drejtuar Kryministrit, që kanë qenë zyrtare, por unë nuk kam rreshtur edhe në linjën private për ti kërkuar fëmijët, por nuk ja kam arritur dot qëllimit sepse është shumë e vështirë. Kam kërkuar në Turqi, në Egjypt, në forma të tjera jo zyrtare por s'ja kemi arrit. Kur bëhet fjalë për trupin e së ndjeres ku dime gjë ne se çfare bëhet më, se mos ka ardh naj trup tjetër këtu i pajetë, ato aty ku vdesin i varrosin, aty përfundon jeta e tyre” .
Ndregjoni thotë se janë rreth 60 shqiptare që vuajnë në kushte mbijetese në atë kamp, mes të cilëve edhe fëmijë të mitur.
“Janë rreth 60 shqiptare, kushtet janë mbijetesë që nga rreziku që u kanoset e deri tek e ngrëna. Apeli i tij është shteti të ndërhyjë, të bëj detyrën e vet, janë shtetas shqiptarë, janë të mitur, janë jëtim, me nje fjalë janë të braktisur dhe përveç ndihmës së shtetit ska nga ku tu vij ndihma tjetër”.
Dy ditë më parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur nga Libani për mundësinë e kthimit të fëmijëve nga Siria. Lleshaj tha se situata nuk është aspak pozitive, dhe se terreni është i vështirë, duke u zbehur në këtë mënyrë shpresat e shqiptarëve që presin familjarët e tyre t’u kthehen nga kampi Sirian.



