Shefi aktual i kabinetit Yoshihide Suga, ish-krahu i djathtë i kryeministrit japonez në largim Shinzo Abe, është emëruar kryetar i Partisë Liberal Demokratike, një lëvizje që ka të ngjarë ta çojë atë drejt karriges së kryeministrit të ardhshëm japonez. 71-vjeçari Suga fitoi shumicën duke marrë 377 nga 535 vota në garën me ish-ministrin e Jashtëm ,Fumio Kishida, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Shigeru Ishiba.
Si kryetar i partisë së koalicionit qeverisës, me një shumicë solide në të dy dhomat e Parlamentit, Suga tani do të duhet të konfirmohet nga vota në Parlament në një seancë të jashtëzakonshme të planifikuar për të mërkurën e ardhshme.
Megjithëse nuk i përkiste asnjë fraksioni brenda partisë konservatore, një dinamikë e konsideruar thelbësore në korridoret e politikës japoneze, Suga ishte që nga fillimi midis favoritëve për të marrë qeverinë, i konsideruar ndjekësi i natyrshëm i reformave të Abes.
Gara për pasuesin e Abes u komunikua në fund të gushtit, pasi ai u tërhoq për arsye shëndetësore, disa ditë pasi vendosi rekordin si kryeministri japonez më jetëgjatë në pushtet. Nëse konfirmohet në krye të ekzekutivit të ri, më 16 shtator, Suga do të qeverisë deri në skadimin e legjislaturës aktuale, në shtator 2021.



