Banorët e lagjes “5 Maji” në Tirana po përballen prej vitesh me mungesën e certifikatave të pronësisë për apartamentet ku janë zhvendosur pas tërmetit, duke u ndjerë të pasigurt dhe të bllokuar në jetën e tyre të përditshme. Qindra familje thonë se kanë hequr dorë nga shtëpitë e mëparshme me premtimin se do të përfitonin banesa të reja nga Bashkia e Tiranës, por edhe pse kanë kaluar më shumë se shtatë vite dhe janë shpenzuar mbi 300 milionë euro për projektin, një pjesë e tyre ende nuk janë njohur ligjërisht si pronarë.
Banorët ankohen se sa herë që pyesin institucionet për certifikatat, marrin përgjigje të paqarta dhe premtime të përsëritura, ndërsa ndërkohë nuk kanë mundësi të shesin apo të japin me qira banesat, çka i pengon të largohen drejt emigrimit pranë fëmijëve të tyre. Disa prej tyre shprehen se procesi është zvarritur edhe më shumë pas arrestimit të kryebashkiakut Erjon Veliaj, duke krijuar përshtypjen se puna është ndalur.
Në terren, situata paraqitet problematike edhe për shkak të infrastrukturës së papërfunduar: rrugë me gropa, puseta të dëmtuara, tulla dhe inerte të shpërndara nëpër zona, ndërsa automjetet kalojnë me vështirësi nëpër segmentet e amortizuara.
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Xhonatan Pano, ka deklaruar se nga mbi 18 mijë aplikime për banesa në këtë projekt, rreth 460 familje rrezikojnë të mbeten pa zgjidhje, duke e cilësuar procesin si tepër të gjatë dhe të kushtueshëm krahasuar edhe me projekte të tjera ndërtimi në kryeqytet.
Nga ana ligjore, avokati Erald Ago shpjegon se shumë prej banorëve nuk kanë një kontratë të rregullt shkëmbimi prone me shtetin, çka do të thotë se ata jetojnë në apartamente të dhëna nga shteti, por pa të drejtë t’i shesin, t’i trashëgojnë apo t’i përdorin si garanci financiare. Sipas tij, nëse qytetarët paguajnë shërbime si energjia dhe uji, atëherë duhet të njihen si pronarë të plotë, përndryshe ekziston rreziku që prona të mbetet ligjërisht në emër të shtetit edhe pas shumë vitesh, duke i lënë familjet në një situatë të pasigurt dhe pa mbrojtje juridike.



