“Jam peng i një njeriu që më shfrytëzon, duhet të paguash 5 mijë euro, përndryshe do të mi bëjnë keq fëmijës”. Kjo kërkesë për ndihmë e një prostitute 22-vjeçare shqiptare drejtuar një italiani 40 vjeç ka rezultuar një mashtrim i plotë.
Shtetasi italian e kishte njohur vajzën pak muaj më parë dhe kohët e fundit ajo i ishte drejtuar për ndihmë. Kjo e kishte detyruar atë të nisej nga jugu i Italisë drejt Milanos për t’u dorëzuar paratë atyre që mendonte se ishin shfrytëzuesit e saj, por që në fakt ishin bashkëpunëtorë në mashtrim.
Duke menduar se kishte nevojë për ndihmën e policisë për të shpëtuar vajzën, ai ka njoftuar karabinierët, të cilët i kanë thënë të mos nxitohej.
40-vjeçari ka kontaktuar me shqiptaren dhe ka lënë takim në një shesh të qytetit. Ai I ka thënë asaj se do t’ia sillte paratë pas dy orësh. Vajza është larguar, por policia e ka ndjekur dhe ka zbuluar se pak më tutje e prisnin në makinë bashkëpunëtorët në mashtrim.
Me ta në makinë ishte edhe fëmija i saj 4-vjeçar. Në pranga kanë përfunduar tre shqiptarë: vetë 22-vjeçarja, i dashuri i saj (babai i fëmijës), halla e saj (një 50 vjeçare me precedentë për shfrytëzim prostitucioni).



