
Transformimi spektakolar i një pjese të Kanalit të Madh të Venecias në ngjyrë jeshile fluoreshente ndodhi për shkak të fluoresceinës, një substancë jo toksike që përdoret për testimin e rrjeteve të ujërave të zeza, kanë sqaruar autoritetet lokale.
Banorët vunë re se një pjesë e Kanalit të Madh të Venecias u kthye në jeshile të ndezur të dielën, duke bërë që policia të hetojë mes spekulimeve se mund të ishte një marifet i përdorur nga ambientalistët.
Por analizat treguan praninë e fluoresceinës në mostrat e marra, sipas agjencisë rajonale për parandalimin dhe mbrojtjen e mjedisit të Veneto (Arpav), raporton Guardian.
“Rezultatet nuk kanë treguar praninë e elementeve toksike në mostrat e analizuara”, tha Arpav, pa specifikuar origjinën e substancës.
Ndryshimi i ngjyrës i vërejtur nga banorët ngriti dyshime nëse mund të ishte një protestë nga aktivistët e ndryshimeve klimatike, sipas të përditshmes lokale La Nuova Venezia.
Kjo nuk është hera e parë që Kanali i Madh bëhet i gjelbër.
Në vitin 1968, artisti argjentinas Nicolas Garcia Uriburu ngjyrosi ujërat e Kanalit të Madh të Venecias me një ngjyrë fluoreshente gjatë Bienales së 34-të të Venecias si mënyrë për të promovuar ndërgjegjësimin ekologjik.



