
Katër persona janë arrestuar në flagrancë dhe gjashtë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi sipas policisë, kanë shkaktuar trazira në protestën e opozitës, të mbajtur dje para Kryeministrisë.
Siç raporton për MCN live, gazetari Besmir Pula, Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, arrestuan në flagrancë shtetasit: – K. T., 21 vjeç, A. M., 18 vjeç, B. K., 37 vjeç, dhe I. S., 33 vjeç, ndërkohë kanë proceduar proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
– A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 21 flakadanë të plasur;
– 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
– 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;
– 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
– 3 kapsolla.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.
Poashtu sipas gazetarit Pula, Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me shoqërimet e dhunshme të qytetarëve nga ana e Policisë, pas përfundimit të protestës së opozitës. Në reagim thuhet se një nga këta qytetarët pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit. Bëhet fjalë për shtetasin A. Malija, i cili ka shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë.
Po hetohet se nga kush është dhunuar 18-vjeçari dhe i takon organeve kompetente të kuptojnë se nga kush u dhunua i riu, thotë Pula.



