Edhe pse prej vitesh diskutohet nëse duhet konsideruar ose jo vetë sëmundje, e sigurt është se obeziteti është predispozitë për një të tillë. Efektet negative të peshës së tepërt ndryshojnë nga një person e tjetri. Nevoja për dietë, pra një regjim ushqimor i kontrolluar, shpesh nuk shihet e tillë duke u nisur nga arsye shëndetësore, por më shumë estetike. Në këtë aspekt, një pjesë e mirë e personave që nisin një dietë për rrëzimin e peshës, në fakt mund të mos kenë nevojë fare për ta bërë këtë.
Ata që duan të humbasin peshë, shpesh përballen me një regjim ushqimor të ashpër, të vështirë për t’u ndjekur dhe me impakt në jetën sociale. Studime të shumta tregojnë se është e vështirë të mbahen rezultatet e arritura, sidomos në rastin e dietave të rrepta. Madje, për këtë ka një shprehje: Mënyra më e mirë për t’u shëndoshur është të nisësh një dietë. Kjo ndodh pjesërisht sepse dietat e rrepta nuk mund të asimilohen si një ndryshim jetëgjatë në stilin e të ushqyerit dhe pjesërisht sespe në kushte të mungesës enegjetike, organizmi ynë aktivizon mekanizma biokimikë që bëjnë të mundur të kursehet energji dhe ul metabolizmin bazë, me rezultatin që sapo mbaron dieta bëhet shumë e lehtë të rifitosh peshën. Në këtë pikë, shumë individë hyjnë në periudhën kur humbet dhe fitohet peshë, çka bëhet e dëmshme si fizikisht edhe psikologjikisht.
Pra, përgjithësisht është më mirë të parandalosh sesa të trajtosh peshën e tepërt.
Çdo dietë parashikon një kalorazh më të ulët se ai për të cilin njeriu ka nevojë. Në këtë mënyrë, trupi do të nisë të djegë depozitat e dhjamit. Ky është parimi mbi të cilin funksionojnë të gjitha dietat, të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra në kategorinë e ushqimeve që reduktojnë.
Dietat që ndiqen më së shumti kohët e fundit janë ato low carb, pra me nivel të reduktuar karbohidratesh. Shkencërisht është pranuar se karbohidratet duhet të përbëjnë 45-60% të enegjisë që marrim gjatë ditës nëpërmjet ushqimeve. Në kategorinë low carb hyjnë të gjitha dietat që e kanë nivelin e karbohidrateve nën 40%. Kur redukton karbohidratet, atëherë u jepet më shumë peshë proteinave si rasti i dietës Dukan apo lipideve, si dieta ketogjenike. Në këto raste, mungesa e karbohidrateve modifikon metabolizmin dhe e nxit organizmit të djegë depozitat dhjamore.
Dieta ketogjenike është ideuar fillimisht si terapi për disa forma të epilepsisë që nuk trajtohen me ilaçe. Por pasi u pa se reduktonte peshën në mënyrë drastike, iu sugjerua edhe personave obezë. Kjo lloj diete vlerësohet edhe sepse, duke ushqimet e pasura me yndyrna, që ajo i lejon, japin ndjesinë e ngopjes. Por ana tjetër e saj është fakti që është e vështirë të mbahen në kohë rezultatet e arritura.
Një regjim i tillë ushqimor, në terma afatgjatë, mund të dëmtojë veshkat dhe aparatin e qarkullimi të gjakut. Përjashtimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij rrit rrezikun e sëmundjeve të sistemit skeletor, ndërsa konsumimi i produkteve me origjinë shtazore lidhet me disa patologji, edhe të rënda si kanceri (mishi i kuq). Për të mos përmendur këtu impaktin mjedisor që kanë këto ushqime.
Lucilla Titta, nutricioniste dhe studiuese në Institutin Europian të Onkologjisë, thotë se nuk ka kuptim që një dietë e tillë të aplikohet te popullata në përgjithësi, sepse nuk njihen ende efektet e saj në terma afatgjatë. Dietat low carb parashikojnë reduktimin drastik të frutave dhe perimeve dhe kjo do të thotë më pak vitamina, minerale dhe fibra, pra ndikim negativ në rrezikun për sëmundje kardio-vaskulare.
Nga pikëpamja psikologjike bëhet e lehë hyrja në një rreth vicioz të rënies në peshë dhe marrjes së saj sërish.
Një studim i botuar në “Lancet” nuk i sheh karbohidratet kaq “armiqësore” kur është fjala për humbjen e peshës. Sipas tij, jetëgjatësia rritet kur karbohidratet përbëjnë 45-60% të energjisë. Mortaliteti rritet kur ato janë nën 40% dhe mbi 70%. Karbohidratet në fjalë nuk janë sheqernat e thjeshta, që nuk duhet të përbëjnë më shumë se 10% të kalorazhit ditor (rreth 50gr), por janë karbohidrate komplekse që merren më shumë në formën e drithërave integrale.
“Me aq njohuri sa kemi deri tani, nuk justifikohet ideja që dietat low carb janë me efikase për humbjen e peshës dhe aq më pak se ato lejojnë që të mbahet pesha e re. duhet një regjim i reduktuar në numër kalorish, por që ka brenda të gjithë elementët ushqimorë. Ky regjim, i shoqëruar me kohën e duhur të aktivitetit fizik, duhet të bëhet stili i ri i të ushqyerit, pa pasur nevojë të përfundojmë te dietat”, thotë Titta. / Il Fatto Alimentare /



